Është e kërkuar gjithandej nëpër koncerte. Ka shënuar suksese kudo ku ka kënduar dhe është artistja më e preferuar nga fansat në rrjetin social facebook.com.
Këngëtarja Genta Ismajli me dashamirësinë që asnjëherë nuk i ka munguar, tregon sot në këtë intervistë për “Bluetooth”, pushimet e saj familjare gjatë kësaj vere, impresionet e koncerteve të shumta verore, planet më të afërta në muzikë si dhe statusin e saj aktual në dashuri… Gjithashtu ajo i kthen për herë të parë përgjigje akuzave që i kanë bërë për kopje…Përfshihuni dhe ju në këtë intervistë ekskluzive të ‘uraganit’ të skenës shqiptare, Genta Ismajli…
Genta, së fundmi në Shqipëri është përfolur për censurimin e klipit tënd të fundit “Shkune Tune”, nga komisioni i Medias në Kosovë? Madje thuhet se është ndaluar transmetimi i këtij klipi gjatë ditës për shkak të skenave ‘hot’…Sa e vërtetë është kjo dhe ç’mund të na thuash më shumë në lidhje me këtë?
Radio-Televizioni 21 e transmeton çdo ditë klipin, ndërsa televizioni shtetëror nuk e transmeton duke qenë se klipi është shumë ‘hot’ sipas tyre, por unë gjithsesi shpresoj që ta transmetojnë së shpejti. Ua kam shpjeguar që unë jam veshur me rroba profesionale për balerinë, madje u kam thënë se ato veshje janë të globalizuara, vishen në të gjitha kompeticionet e kërcimit, dhe unë i kam veshur gjatë konkurrimit në “Dancing with the Stars Albania”, gjithashtu. Klipi për nga suksesi pati me miliona shikime që në ditët e para të transmetimit. Pastaj sa i përket klipeve ‘hot’, nuk jam e vetmja unë që kam bërë një të tillë, dhe plus kësaj nuk është hera e parë që unë dal e veshur me rroba të këtij stili…Tani besoj se u kuptuam ku qëndron problemi apo jo…? Pavarësisht kësaj, unë kam për të punuar gjithmonë e më shumë për fansat e mi, dhe për krejt shqiptarinë, të cilët asnjëherë s’kam për t’i zhgënjyer. Kam shumë dashuri për të dhënë, si dhe risi në këngë e klipe për të dhuruar. Nuk do të thotë që unë do të ndalem, edhe pse është ndaluar klipi, tani do të punoj me më shumë kualitet dhe skena hot…
Veç kësaj të kanë akuzuar edhe për kopje të këngëtareve Beyonce, Ciara dhe Lady GaGa në këtë klip. Po për këtë ke ndonjë koment për të bërë?
Po, si jo…Nuk e dija që më kishin akuzuar për ‘kopje’ tek po këto këngëtare, të cilat përveçse ngjasojnë shumë me njëra-tjetrën si në lëvizje, në mënyrën e të kënduarit, apo në garderobë, janë edhe ‘trend’ i momentit. Andaj dëshiroj të sqaroj se unë do t’i mbetem besnike asaj çka është në ‘trend’ dhe asaj çka pëlqehet dhe nuk mund të largohem unë krejt e vetme prej asaj që preferohet… Ndërsa tani po e tregoj që kënga më del nga thellësia e shpirtit tim bashkë me lëvizjet dhe performancat e mia skenike dhe më vjen sinqerisht shumë keq për ata që nuk e kanë vënë re këtë gjë tek unë, sepse ata që duan të dinë për mua më ndjekin dhe e njohin shumë mirë këtë anë timen. Kurse sa i përket garderobës mundem që të kem ndonjë veshje si të Beyonces ose të të tjerave kur më pëlqen ndonjë fustan ose bluzë e tyre, shumë thjesht shkoj e marr të njëjtën. Asgjë të keqe s’ka kjo…
Cilin prej yjeve botërorë ke si shembull në karrierën tënde?
Michael Jacksonin e kam pasur gjithmonë dhe e kam model në karrierën time. Inspirohem shumë prej tij.
Po nga femrat?
Mariah Carey, Alicia Keys, Beyonce…
A ndikohesh ndopak nga ato në performancat dhe daljet e tua publike?
E ceka edhe më lart, që në skenë është vetëm Genta Ismajli. Përndryshe nuk do të kishte sukses performanca. Ti Eri besoj se e kupton mirë këtë gjë, apo jo? (qesh)
Ndërkaq sapo ke mbyllur me sukses një tur të gjatë koncertesh të mbajtura gjatë kësaj vere. Në cilin vend je ndjerë më mirë?
Në të gjitha vendet ku jam ballë për ballë me publikun unë ndihem shumë mirë, andaj nuk mundem ta ndaj as publikun, po as vendet ku kam mbajtur koncerte.
Ku i ke kaluar pushimet gjatë kësaj vere?
Pushimet i kam kaluar në Ulqin me familjen time.
Po me shoqërinë nuk ke pushuar?
Me shoqërinë pushova përpara se të fillonte mirë sezoni veror, në Dhërmi.
A është Genta aktualisht e dashuruar?
Jo.
Domethënë je ende në kërkim?
(qesh) Në kërkim, po kjo varet edhe se si çohem në mëngjes, po ‘yes’ duke kërkuar jam… (qesh)
Po për lidhjen tënde me Noizyn të komentuar shumë gjithashtu në Shqipëri, ç’mund të na thuash?
E dini dhe ju vetë që unë nuk kam pasur, nuk kam dhe nuk kam për të pasur ndonjëherë lidhje me Noizy-n, përveç se jemi kolegë dhe miq të mirë, thjesht kaq.
Cila mendoni se është mosha ideale për t’u martuar një femër?
Në moshën 27-vjeçare.
Si do ta përshkruanit mashkullin ideal?
E rëndësishme për mua mbi të gjitha është që të ketë respekt për veten, për partneren, pastaj edhe morali.
Çfarë natyre është Genta në familje?
Jam tip që bëj shumë për familjen. Megjithatë, për këtë pyetje më mirë mund të flasë familja ime.
Cilat janë planet e tua më të afërta në muzikë?
Planifikoj të nxjerr këngë të reja dhe jam duke punuar fort për to aktualisht, plus kësaj dëshiroj të nxjerr albumin.
Së fundmi, jo pak e komentuar ka qenë edhe motra juaj Mani në show-biznesin shqiptar…Dëshiron që edhe ajo të bëhet këngëtare?
(qesh) Ok, Mani tani është në Amerikë, duke ndjekur shkollën dhe mos kini frikë, se nuk do të bëhet këngëtare. (qesh) Është sportiste shumë e mirë, por kjo nuk do të thotë që nuk ka vesh për muzikë. Nuk e di se ku e lexova edhe unë këtë, që do të bëj duet me Manin, por nuk është e vërtetë, duke qenë se më kanë pyetur edhe shumë njerëz.
Kur ke në plan që t’u rikthehesh kompeticioneve?
Nuk jam larguar nga ato, madje aktualisht jam duke punuar për diçka tjetër të re.
Sapo mbyllëm muajin e Ramazanit, ju agjëruat ndonjë ditë?
Duke qenë se kam qenë tërë kohën në rrugë, ‘nonstop’ me koncerte, nuk kam mundur të agjëroj, me përjashtim të Natës së Madhe (Natës së Kadrit), në të cilën kam agjëruar dhe kam shkuar edhe në xhami.
Jeni besimtare e devotshme?
Besoj shumë në Zot.
No comments:
Post a Comment